Ndotja%20Akustike

Ndotja e zhurmës është zhurma shqetësuese me ndikim të dëmshëm në veprimtarinë e jetës njerëzore ose të kafshëve. Burimi i zhurmës në natyrë në mbarë botën është shkaktuar kryesisht nga makinat dhe sistemet e transportit, motorët e automjeteve motorike dhe trenat. Zhurma në natyrë përmblidhet me fjalën zhurmë mjedisore. Planifikimi i dobët urbanistik mund të shkaktojë ndotje të zhurmës, ndërtimet urbane dhe industriale mund të rezultojnë me ndotje të zhurmës në zonat e banuara.

Monitorimi alternativ i zhurmës në mjedis do të realizohet në 4 bashki të vendit. Fillimisht do të pilotohet në bashkinë e Tiranës, më pas do të zgjerohet edhe në dy bashki të tjera. Monitorimi do të kryhet nga Organizata të Shoqërisë Civile, të cilat do të përzgjidhen nëpërmjet një thirrje, në bazë të plotësimit të kritereve të kërkuara, të cilat kryesisht venë theksin tek kapacitetet e tyre për të kryer këtë monitorim (kapacitetet njerëzore) dhe eksperiencat e mëparshme në fushën e monitorimit të mjedisit, e në veçanti të monitorimit të zhurmës në mjedis. OSHC-të do të asistohen dhe trajnohen nga ekspertë të Co-PLAN - Institutit për Zhvillimin e Habitatit dhe nga organizata partnere Milieukontakt në Shqipëri.

Monitorimi alternativ i zhurmës në mjedis ka për qëllim kryesor të vlerësojë situatën e shpërndarjes dhe ekspozimit të qytetarëve ndaj zhurmave në zonat urbane, të krijojë një bazë të dhënash për të adresuar më mirë problematikat në mënyrë që të ndërtohet një plan masash efikase për të përmirësuar situatën në zonat problematike. Gjithashtu, monitorimi alternativ i zhurmës në mjedis do të kontribuojë në ngritjen e kauzave të drejta dhe të mbështetura në fakte nga OSHC-të, nga komunitete dhe ekspertë në zonat ku do të kryhet monitorimi.