Gjoka: Karantina uli ndotjen vetëm për 2 muaj! Tirana s’është qytet i këshillueshëm për të jetuar

Rodjon Gjoka drejtuesi i Njësisë së Mjedisit në Institutin Co-plan ka deklaruar në emisionin ABC-ja e mëngjesit se karantina ndikoi për mirë në uljen e ndotjes mjedisore në qendrat urbane. Megjithatë ai theksoi se me rihapjen po rikthehemi sërish aty ku ishim. Gjoka u shpreh se pavarësisht mundësive ekonomike që ofron Tirana në raport me qytetet e tjera, ajo nuk është e këshillueshme për të jetuar. “Në rang global duket sikur toka mori dy muaj pushim për të pastruar ndotjen e akumuluar. Në Tiranë kemi bërë eksperimentin tonë për të parë se cila masë ndikon në ndotje. Kemi kryer monitorime në katër pika të Tiranës që për shkak të trafikut kanë pasur ndotje të lartë. Në javën e parë të prillit ndotja ra. Raportet vjetore për ndotjen e ajrit nuk na lejojnë të shohim se cilët janë faktorët që ndikojnë. Dje në mëngjes kishim një situatë të mirë ndërsa sot është një pikturë tjetër sepse dioksidi i azotit ka kaluar standardin për një afat prej 24 orësh. Për të gjithë qytetet janë mbi  2600 stacione ku kemi marrë të dhëna. Situata sot nuk është mirë. Karantina dha një efekt natyral. Por tani po kthehemi sërish aty ku ishim. Tirana mund të jetë një qytet premtues ekonomikisht por nga ana shëndetësore, qytetet po shkojnë një linje jo të duhur. Tirana nuk është një qytet i këshillueshëm për të jetuar”, tha Gjoka./abcnews.al

 

Klikoni këtu për më tepër.