U zhvilliua më datë 17 Mars 2021, Konferenca Vjetore e projektit “Mushkëri të Gjelbra për Qytetet Tona”, i implementuar nga Co-PLAN Instituti për Zhvillimin e Habitatit në bashkëpunim me Milieukontakt Shqipëri dhe i financuar nga Bashkimi Europian.
Në këtë aktivitet, u prezantuan të gjithë gjetjet nga monitorimet alternative të komponentëve të ajrit, zhurmes dhe gjelbërimi urban përgjatë harkut kohor 2018-2021 në qytetet Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër.
Në terma të përgjithshëm, numërohen 970 stacione monitorimi me rreth 33’000 matje të cilësisë së ajrit për 8 komponentët përkatës dhe ku vlerat më shqetësuese paraqiten në qytetin e Durrësit për Dioksidin e Azotit (NO2) (230 µ/m3) dhe për grimcat e Pluhurit PM2.5 (196µ/m3).
Për sa i përket nivelit të ndotjes akustike, në të katër bashkitë numërohen 886 stacione monitorimi në 2 fasha orare: mëngjes dhe darkë ku përgjithësisht vërehet një tejkalim shqetësues i vlerave mbi standartet e lejuara shqiptare e europiane. Vlerat më të larta janë regjistruar në qytetin e Tiranës, përkatësisht pranë ish-sheshit “Shqiponja” me 132 dB gjatë mëngjesit dhe 90 dB gjatë darkës.
Nëpërmjet vrojtimit, digjitalizimit dhe analizimit të rreth 38’000 drurëve urbanë është realizuar llogaritja e shërbimeve të ekosistemit që ofron gjelbërimi urban në të katër qytetet përkatëse. Vlera monetare e kursyer nga këto shërbime jo vetëm për përmirësimin e cilësisë së ajrit, por edhe për përmirësimin e shëndetit publik arrin vlerat e 672,000,000 lekë të reja në vit.