Zhurma përkufizohet si çdo tingulli i padëshiruar apo i dëmshëm, i krijuar nga veprimtaritë njerëzore, përfshirë zhurmën e lëshuar nga mjetet e transportit, nga trafiku rrugor, hekurudhor, ajror dhe nga sheshet ku zhvillohen veprimtari industriale.
Zhurma, si të gjithë tingujt, matet me intensitetin dhe frekuencën e valëve të cilat godasin veshin. Njësia e përdorur për të matur nivelin e zhurmës është decibel (dB). Sa më i lartë numri i decibelëve, aq më e lartë është zhurma dhe më e dëmshme bëhet për veshët.
Faktorët që ndikojnë në gjenerimin e niveleve të larta të zhurmave janë të shumtë, por ndër më të rëndësishmit mund të përmendim:
• planifikimi urban nuk është integruar me planifikimin e transportit. Kjo ka lejuar që zhvillimet urbane dhe korridoret kryesore të transportit të mos marrin parasysh zonat e përshtatshme tampon midis rrugëve e ndërtesave,
• rritja e numrit të automjeteve për transport individual dhe mungesa e një plani për të zbatuar ose pranuar zgjidhje të pjesshme, që përfshijnë përdorim më të madh të transportit publik,
• trafiku në shumë rrugë ekzistuese (përmes zonave të banuara) është rritur përtej parashikimeve gjatë periudhës të planifikimit ose ndërtimit,
• mungesa e ndërgjegjësimit të komunitetit dhe bërja publike e gjetjeve të mundshme për zgjidhjen e problemit,
• mungesa e hapësirave të parkimit në sipërfaqet urbane më të populluara, sidomos brenda hapësirave të qyteteve,
• qëndrimi për një kohë të gjatë i automjeteve në semaforë, si pasojë e një mospërputhjeje midis kohës së qëndrimit në kryqëzime të rregulluara me semaforë dhe kohës së lejimit të kalimit të automjeteve. Ky zhbalancim shkakton nivel më të lartë të zhurmave nga automjetet.
• lejimi i kalimit të automjete të tonazhit të rëndë në qytet, për shkak të mungesës të rrugëve alternative.